Friday, May 29, 2026
HomeALBBIRN: Kush fshihet pas resortit të familjes Trump në Shqipëri

BIRN: Kush fshihet pas resortit të familjes Trump në Shqipëri

Dhjetëra banorë vendas dhe aktivistë u mblodhën të shtunën, më 23 maj, në lagunën e Nartës për të protestuar kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros – pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë – nga një kompani ndërtimi, e cila ka siguruar leje nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një resorti masiv turistik në zonë.

Policia-gjate-protestes-se-banoreve-dhe-ambjentalisteve-me-23-majit-para-gardhit-me-tela-me-gjemba-te-rrethimit-ne-Zvernec-Foto-kortezi-PPNEA-3-1

Protestuesit mbanin në duar banderola në mbrojtje të natyrës dhe kundër oligarkisë – biznesmenëve vendorë të lidhur me qeverinë, të cilët ata i akuzojnë se po ua rrëmbejnë në mënyrë të paligjshme pronat.

pronat.

“Vlora e Shqipërisë! Jo e mafies, jo e oligarkisë”, shkruhej në një nga parullat që mbanin protestuesit, ndërsa u përballën me një kordon policësh të thirrur për të mbrojtur kantierin dhe makineritë e rënda.

Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë. Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Por dokumentet e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se, pas profilit publik të sofistikuar të familjes presidenciale amerikane, fshihet një rrjet vendor individësh dhe kompanish, ku përfshihet një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Sh. K

Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, pavarësisht lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, KKTU, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ata nuk pyesin. Janë shumë të fortë, sepse kanë pushtetin”, tha Minella Balliu, një prej banorëve të përfshirë në betejat ligjore mbi pronën e Pishë Poros, i cili iu bashkua protestës së 23 majit.

Zyra e kryeministrit Edi Rama tha përmes një përgjigjeje me shkrim se KKTU nuk ishte përgjegjëse për të kontrolluar kartelat e pronësisë dhe konfliktet gjyqësore të lidhura me to, ndërsa theksoi se institucionet nuk punojnë “as me pretendime, as me hamendësime apo paragjykime, por me dokumentacion dhe mekanizma ligjorë”.

“Fakti që ka apo nuk ka pretendues dhe procese lidhur me një pronë apo një tjetër, nuk ka asnjë lidhje me procesin ligjor të shqyrtimit të aplikimeve për leje ndërtimi,” deklaroi Kryeministria.

“Ndërkohë, kartelat e pasurive të paluajtshme nuk janë objekt hetimi apo gjykimi nga organet ekzekutive të shtetit,” shtoi ajo.

Pronarë në parajsë

rrethimi me gardh dhe tela me gjemba i zvërnecit përpara vendit të qujatur plazhi i dajlanit. foto kortezi nga roger hamilton martin
Rrethimi me gardh dhe tela me gjemba i Zvërnecit përpara vendit të quajtur Plazhi i Dalanit. Foto kortezi nga Roger Hamilton Martin
Bregdeti i Zvërnecit dhe i Pishë Poros, një nga peizazhet më të paprekura të Adriatikut shqiptar, me plazhe ranore dhe shkëmbinj të thepisur që zbresin drejt detit, ka qenë prej vitesh në qendër të interesit të ndërtuesve dhe investitorëve turistikë për zhvillim.

Për shkak të natyrës së pacenuar dhe lagunës që strehon shpendë migrues si flamingot, zona mban statusin e Peizazhit të Mbrojtur, ndërsa brenda saj gjenden tre monumente natyrore: laguna e Limopuos, ishulli i Manastirit dhe dunat e rralla të rërës ku folezojnë breshkat detare.

Megjithatë, kjo nuk i ka penguar qeveritë ndër vite të miratojnë plane zhvillimore, ndërsa biznesmenë të njohur kanë “magazinuar” prej kohësh qindra mijëra metra katrorë tokë nga Triporti deri në grykëderdhjen e Vjosës, duke i blerë ato nga pronarë shpesh të kontestuar ose të përfshirë në procese gjyqësore.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments