Këtë të martë, më 26 maj, u zhvillua në Bruksel Konferenca e 8-të Ndërqeveritare, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e vendit tonë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Në përfundim të këtij takimi, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat krah Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, por edhe zëvendësministres për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna.
“Pse qeshni, jeni të rinj. Nuk e njihni ende vlerën e dashurisë. Duhet të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për Bashkimin Europian”, tha kryeministri Edi Rama në nisje të fjalës së tij.
Ai vazhdoi: “Dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi. Duhet të jemi të lumtur sepse kemi arritur një tjetër gur kilometrik. Ashtu siç e ka theksuar Marta, ne i çelëm të gjithë grupkapitujt brenda 11 muajsh dhe kaluam nga kjo tek faza e nisjes së mbylljes së kapitujve me këtë konferencë të sotme, edhe njëherë brenda një afati shumë të shkurtër. Kështu që ndihemi të energjizuar. Në fund, është vetëm fillimi i fundit dhe e dimë që duhet të bëjmë shumë më tepër punë.”
Zv.ministrja e Qipros, Raouna tha se “Procesi i Shqipërisë po ecën përpara”. “Mendoj që shqipëria i ka plotësuar me sukses pikat e ndërmjetme për themeloret”.
“Ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të mbyllim provizorisht kapitujt. Zgjerimi është strategjik për presidencën e Qipros. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë sot. Ne besojmë thellësisht te zgjerimi dhe jemi të kënaqur që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara në mënyrë vendimtare, me vlerësim e kushtëzim rigoroz dhe të drejtë. Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë, për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reforma të vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm, por që ia vlen.”, shtoi Zv.ministrja e Qipros.
