Saturday, May 23, 2026
HomeALBSPAK zbardh pasuritë e Belës: Të implikuar dhe oligarkë, vila dhe apartamente

SPAK zbardh pasuritë e Belës: Të implikuar dhe oligarkë, vila dhe apartamente

Prokuroria e Posaçme (SPAK) raportohet se ka zgjeruar hetimet ndaj Belinda Ballukut, ish-zv/kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës, në kuadër të një çështjeje që lidhet me procedura prokurimi dhe tenderë publikë me vlera të konsiderueshme.

Sipas raportimeve mediatike, ditët e fundit hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe prokurorë të SPAK kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, pas dyshimeve që lidhen me çështjen nën verifikim. Po sipas të njëjtave burime, Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka miratuar urdhra kontrolli që kanë përfshirë persona të ndryshëm të lidhur me hetimin, përfshirë zyrtarë dhe individë të tjerë që po verifikohen nga organet kompetente.

Raportohet se një pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhet me analizimin e materialeve të sekuestruara gjatë kontrolleve, përfshirë telefona celularë dhe pajisje elektronike. Sipas burimeve mediatike, nga këto verifikime po shqyrtohen komunikime dhe dokumente që mund të kenë rëndësi për ecurinë e çështjes.

Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe informacion mbi pasuri të mundshme që dyshohet se mund të jenë regjistruar në emër të personave të tretë. Megjithatë, deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga SPAK që konfirmon pretendimet e publikuara lidhur me pasuri të fshehura apo akuza të reja. Dyshohet se ish-zv/kryeministrja Balluku zotëron një numër të madh pasurish të paluajtshme, të shtrira në zonat më strategjike të vendit. Harta e pasurisë së saj të fshehtë përfshin apartamente luksoze dhe vila të shtrenjta, të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe në vijën bregdetare.

Kujtojmë se këto zhvillime pasojnë veprime të tjera hetimore të ndërmarra më herët, gjatë të cilave janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike të konsideruara me interes për hetimin. Gjithashtu, SPAK ka kërkuar informacione edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Aktualisht, ndaj ish-zv/kryeministres janë raportuar masa sigurie si ndalimi i daljes jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike, ndërsa hetimet lidhen me dyshime për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me procedurat e prokurimit për Tunelin e Llogarasë.

Sipas njoftimeve të mëparshme të SPAK, në fokus të verifikimeve janë përfshirë edhe disa procedura të tjera prokurimi që lidhen me projektet e Unazës së Madhe të Tiranës. Hetimet për këto raste vijojnë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments