Pas reagimit të fortë të Taulant Ballës, i cili kërkoi që TikTokeri i njohur Kozak Braçi të gjobitej me 200 mijë lekë për hedhjen e një kanaçeje në det në një video të publikuar në rrjetet sociale, ka ardhur edhe reagimi i vetë Kozakut.
Përmes një postimi në InstaStory, Kozaku ka sqaruar se videoja nuk është filmuar në Shqipëri, por në Mykonos të Greqisë rreth dy vite më parë. Ai thotë se gjithçka ka qenë pjesë e një vlogu dhe se menjëherë pasi kanaçja është hedhur, një shok i tij e ka marrë përsëri nga uji.
Më tej, Kozaku pretendon se për atë veprim është marrë masë dhe gjoba është paguar nga shoku i tij në Greqi. Ai thekson se videoja po riqarkullon tani, ndërsa sipas tij nuk ka lidhje me ndonjë ngjarje të ndodhur së fundmi në Shqipëri.
“Kam qenë duke bërë vlog në Mykonos para dy vitesh. Kanaçen e mori direkt shoku im dhe për atë veprim është paguar edhe gjoba,” është shprehur ai në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Taulant Balla ka insistuar se figura publike duhet të mbajnë përgjegjësi për mesazhet që përcjellin në rrjete sociale, pavarësisht vendit ku është realizuar videoja. Debati mes tyre ka marrë vëmendje të madhe në internet, duke sjellë reagime të shumta nga ndjekësit.
