Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare aktori i njohur Birçe Hasko, një prej figurave më të dashura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. I lindur më 15 mars 1942 në fshatin Dukat, Hasko spikati për interpretimin e roleve popullore dhe karaktereve tipike të jugut, duke krijuar një stil unik artistik që e bëri të paharrueshëm për publikun shqiptar. Fillimisht ai përfundoi shkollën pedagogjike “Jani Minga” në vitin 1961 dhe punoi si mësues e drejtor shkolle në Amanikaj, Nivicë të Tepelenës dhe Poro të Vlorës, deri në vitin 1965, kur nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Pas diplomimit në vitin 1969, Birçe Hasko nisi punën si pedagog në Akademinë e Arteve, ku më vonë mbajti edhe postin e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989-1994. Në teatër ai interpretoi role të njohura si Milo Tafani në “Shi në plazh” të Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulaha dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarka. Në kinematografi realizoi 32 role filmike, ku veçohen interpretimet në Kur zbardhi një ditë, Njeriu me top, Radiostacioni, Përrallë nga e kaluara dhe Shkëlqim i përkohshëm, ku fitoi edhe Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit.

Loja e Birçe Haskos u dallua për humorin spontan, mimikën shprehëse dhe përdorimin e elementëve të Labërisë, që i jepnin roleve të tij origjinalitet dhe identitet të fortë artistik. Përveç kontributit në skenë dhe ekran, ai përgatiti breza të tërë aktorësh dhe vuri në skenë 18 vepra dramatike të plota. Për kontributin e tij në artin shqiptar, ai u nderua me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1989, me titullin “Profesor” në vitin 1995 dhe më vonë me dekoratën “Mjeshtër i Madh”. Ndarja e tij nga jeta lë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një emër që do të mbetet përherë pjesë e historisë së artit shqiptar.
