Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, i kanosen Kosovës në rast të izolimit ndërkombëtar dhe mungesës së garancive të sigurisë.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Haradinaj tha se çdo dobësim i raporteve me partnerët ndërkombëtarë krijon hapësirë për përfitim nga Serbia, duke e konsideruar këtë një rrezik të përbashkët për rajonin.
Në rast të izolimit tonë ndërkombëtar apo në mungesë të garancive, atëherë Serbia përfiton dhe këto janë një rrezik i përbashkët”, u shpreh ai.
Sipas Haradinajt, institucionet në Serbi, përfshirë edhe akademinë e shkencave, kanë të zhvilluara strategji që, sipas tij, synojnë nxitjen e përçarjeve mes Kosovës dhe aleatëve të saj të sigurisë.
“E kanë të elaboruar dhe e diskutojnë dhe ndihmojnë një armiqësim të Kosovës me aleatët tanë të sigurisë. E ushqejnë, e nxisin, e shpërndajnë dhe e mbajnë gjallë përmes çdo forme komunikimi, përfshirë edhe rrjetet sociale”, deklaroi Haradinaj.
Ai theksoi se Kosova nuk duhet të lejojë gabime në menaxhimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e sigurisë.
Kosova nuk e ka luksin e asnjë menaxhimi të gabuar të aleatëve të sigurisë, sepse kemi 400 kilometra kufi tokësor me Serbinë dhe përballë kemi forcat armike”, u shpreh ai.
Haradinaj paralajmëroi gjithashtu se çdo vendim i gabuar apo prirje populiste mund të ketë pasoja serioze për sigurinë e vendit dhe stabilitetin rajonal
Çdo menaxhim i gabuar, çdo tendencë e populizmit na kushton në siguri, dhe pasojat nuk do t’i vuajë vetëm Kosova, por të gjithë”, përfundoi ai.
