Arsen Toska, efektivi 20-vjeçar i Policisë së Shtetit që u plagos gjatë shoqërimit të një të arrestuari drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë, ndodhet ende në Spitali i Traumës me dëmtime serioze dhe paralizë të përkohshme të gjymtyrëve të poshtme.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në zonën e Kutallisë, në Dimal.
Sipas hetimeve paraprake, 45-vjeçari Zamir Skënderi, i cili po shoqërohej nga Fieri drejt Komisariatit të Kuçovës, i ka marrë armën e shërbimit efektivit dhe e ka qëlluar brenda automjetit të policisë.
Pas plagosjes, autori tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, por u neutralizua dhe u arrestua nga dy policët e tjerë që ndodheshin në mjet.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, Skënderi ka deklaruar se nuk mban mend asgjë nga ngjarja, pasi pretendon se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, hetimet po përqendrohen edhe tek procedurat e ndjekura nga policia gjatë shoqërimit të të arrestuarit. Po verifikohet nëse efektivët kanë zbatuar rregullat standarde të sigurisë, si dhe pse 45-vjeçari nuk ishte kontrolluar plotësisht, megjithëse dyshohet se kishte me vete një sasi kokaine në momentin që hipi në automjetin e policisë.
Për ngjarjen po hetojnë Prokuroria e Beratit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
