Kreu i ri i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa është paraqitur mesditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Tafa u emërua pak kohë pas shkarkimit të ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj.
Tafa më parë ka mbajtur postin e drejtorit në Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, njeri i besuar i kryeministrit Rama, që ka menaxhuar miliona lekë në këtë institucion.
Deri më tani nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të pranisë së tij, ndërsa nga organi i akuzës nuk ka ende një reagim lidhur me këtë zhvillim.
Burime pranë hetimit nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën e paraqitjes së Tafës në SPAK, duke lënë të paqartë nëse ai është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni, dëshmitarit apo në një status tjetër procedural. Rasti ka ngjallur interes për shkak të rolit të rëndësishëm që ai mban aktualisht në administratën shtetërore.
Tafa mori drejtimin e AKSHI-t vetëm pak kohë më parë, pas ndryshimeve në krye të institucionit që menaxhon sistemet elektronike dhe zhvillimet digjitale të administratës publike.
Pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion mbi këtë paraqitje dhe nëse ajo lidhet me ndonjë hetim apo procedurë konkrete të SPAK.
