Historia e dashurisë mes Adionit dhe Olës, e lindur brenda mureve të “Ferma VIP 3”, po vazhdon të lulëzojë dhe të marrë vëmendjen maksimale të publikut edhe pas përfundimit të spektaklit.
Ndonëse gjatë qëndrimit në fermë ata u përballën me sfida, dyshime të forta dhe reagime të ftohta nga familjarët – të cilat asokohe lanë të kuptohej se kjo lidhje mund të mos pranohej jashtë programit – zhvillimet e fundit tregojnë një realitet krejt tjetër dhe shumë më të ëmbël.
Duket se çifti e ka lënë pas stuhinë e dyshimeve. Së fundmi, Adioni ka udhëtuar drejt Malësisë së Madhe, vendlindjes së partneres së tij, për t’u takuar nga afër me familjen e saj.
Vetë ish-banori ka ndarë në rrjetet sociale fotografi krah Olës dhe familjarëve të saj, duke zbuluar një atmosferë mjaft të ngrohtë, të afërt e miqësore. Këto pamje dëshmuan qartë se “akulli” mes tij dhe familjes është thyer përfundimisht.
Por, detaji që u ka vënë “vulën” zërave dhe ka entuziazmuar rrjetin ishte një koment publik nga kunata e Olës, Reina. Në postimin e Adionit, ajo ka lënë një koment duke përdorur emoji-n e një zogu dhe një peshku të bashkuar nga një zemër.

Me mbështetjen dhe bekimin e njerëzve të saj më të shtrenjtë, dyshja duket më e lirë se kurrë për ta jetuar historinë e tyre të dashurisë.
