Rritja më prindër narcistë nuk është e lehtë dhe lë pasoja të mëdha tek fëmijët e më vonë.
Sipas psikologëve, shumë prej këtyre historive kanë një rrënjë të përbashkët: rritjen me prindër narcisistë.
Prindërit narcisistë janë të përqendruar kryesisht te vetja, kontrolli dhe imazhi i tyre, shpesh duke neglizhuar nevojat emocionale të fëmijëve. Në vend të sigurisë dhe mbështetjes, fëmija rritet mes kritikës, fajit dhe pasigurisë emocionale.
Psikologia Dr. Sarah Davis, e cila ka shkruar librin “Rritur nga prindër narcisist”, shpjegon se këta fëmijë shpesh zhvillojnë bindjen se nuk janë “mjaftueshëm të mirë” dhe se dashuria duhet fituar përmes performancës, bindjes apo suksesit të tyre.
Sipas saj, një nga format më të zakonshme të manipulimit është “dashuria e kushtëzuar”. Fëmija ndihet i pranuar vetëm kur përmbush pritshmëritë e prindit, duke mësuar me kalimin e kohës të shtypë emocionet dhe nevojat e veta.
Në këto familje krijohen shpesh role të caktuara:
– “fëmija i artë”, që lavdërohet dhe përdoret për të ushqyer egon e prindit,
fëmija i humbur”, që tërhiqet për të shmangur konfliktet,
– dhe “kurbani”, mbi të cilin hidhen kritikat dhe faji jo i merituar.
Ekspertët theksojnë se pasojat e të rriturit me prindër narcistë vazhdojnë edhe në jetën e të rriturve. Shumë prej tyre hyjnë në marrëdhënie ku përsërisin të njëjtat modele emocionale që kanë njohur në fëmijëri: kontroll, refuzim dhe mungesë vlerësimi, veçanërisht në lidhje dashurore.
Sipas psikologëve,kjo nuk ndodh sepse ata nuk dinë të duan, por sepse dashurinë e kanë mësuar në një formë të shtrembëruar dhe e besojnë si të tillë.
Traumat e vazhdueshme nga kritikat, refuzimi apo idealizimi i tepruar mund të çojnë këta individë edhe në ankth kronik dhe stres kompleks post-traumatik.
Shumë njerëz nuk e kuptojnë se ajo që kanë përjetuar nuk ka qenë normale, pasi është i vetmi realitet i njohur prej tyre.
Ekspertët theksojnë se fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë, por për prindër emocionalisht të pranishëm, që ofrojnë siguri, mbështetje dhe dashuri pa kushte. Një fëmijë që rritet nga pribndër të shëndetshëm bëhet një individ më i fortë për veten e shoqërinë.
