Partia Demokratike e Shqipërisë pritet të shkojë drejt zgjedhjeve për kryetarin e ri me një kandidat të vetëm.
Sipas vendimit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të zbardhur këtë të premte , të shpallur më 1 maj 2026, Sali Berisha do të jetë i vetmi kandidat në garën e datës 23 maj 2026.

Pas shqyrtimit të kërkesave të depozituara, KOKOE vendosi të skualifikojë të gjithë kandidatët e tjerë, duke lënë në garë vetëm Berishën. Dokumenti specifikon se megjithëse pati disa kërkesa, vetëm tre aplikime (Sali Berisha, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj) u morën në shqyrtim pasi plotësonin kushtin fillestar të qenit anëtarë të PD-së. Kërkesat e tjera u refuzuan menjëherë pasi nuk ishin anëtarë të partisë.
Në vlerësimin e detajuar të kandidaturave, komisioni doli në përfundimin se:
Sali Berisha plotëson të gjitha kriteret statutore për të qenë kryetar.
Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj u skualifikuan unanimisht nga komisioni. Sipas KOKOE, megjithëse janë anëtarë të PD-së, ata nuk plotësojnë kriterin e të qenit një “figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe u mungon “eksperienca drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal”.
Si rrjedhojë, KOKOE i ka propozuar zyrtarisht Kryesisë së PDSH-së vetëm kandidaturën e Sali Berishës për miratim. Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, e lë ish-kryeministrin pa asnjë rival përballë në votimet që do të mbahen pas tri javësh.
Nga ana tjetër në raportimin e djeshëm për zhvillimet në PD u pa që kandidaturën e depozituan dhe Ervin Salianji, Alesia Balliu dhe Evi Kokalarit të cilët nuk janë pranuar.
