Selvije Jao ka prekur zemrat e ndjekësve të saj me një dedikim tejet të ndjerë për ish-bashkëshortin e saj të ndjerë, këngëtarin e njohur Shpat Kasapi.
Sot, më 1 maj, artisti i ndjerë do të festonte ditëlindjen e tij të 41-të, një ditë që tashmë sjell trishtim dhe kujtime të pashlyeshme për familjen dhe gjithë dashamirësit e tij.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, Selvija ka ndarë një video ku Shpati shfaqet krah djalit të tyre të vogël, Roelit.
Krahas postimit, ajo ka shkruar fjalë emocionuese që tregojnë dhimbjen për mungesën e tij, por njëkohësisht edhe ndjesinë e thellë se ai mbetet pranë tyre shpirtërisht.

“Sot është dita jote… Ti nuk je larg, je vetëm në një formë tjetër: engjëlli ynë mbrojtës. Çdo bekim që na vjen, çdo gjë e bukur që na ndodh, e ndiej si shenjë nga ti,” ka shkruar ajo në postimin e saj.
Në dedikimin e saj, Selvija tregon se sa e ndjen praninë e tij përmes veprimeve të djalit të tyre. “Roeli po thotë ‘Daddy’… dhe zemra ime e di që ti e dëgjon që je pranë nesh. Urime ditëlindjen në parajsë, Shpat. 5 muaj pa ty por gjithmonë në zemrat tona,” ka përfunduar ajo fjalët e saj drithëruese.
Kujtojmë se këngëtari aq i dashur për publikun u nda nga jeta papritur 5 muaj më parë, në nëntor të vitit 2025, si pasojë e një ataku kardiak teksa ndodhej në Itali. Vdekja e tij e parakohshme në moshën 40-vjeçare tronditi thellë muzikën shqiptare, duke lënë pas një boshllëk të madh, një fëmijë të vogël dhe hite të panumërta që e bënë atë të pavdekshëm për publikun.
