Jam më mirë se kurrë” – Ilir Meta reagon nga ambientet e sigurisë, flet për ndryshimin fizik dhe jetën brenda
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas komenteve të shumta në rrjet lidhur me gjendjen e tij fizike dhe pamjen e jashtme, pas daljes së tij të parë publike.
Në një deklaratë nga ambientet ku ndodhet në masë sigurie, Meta ka theksuar se gjendja e tij shëndetësore dhe mendore është “më e mirë se kurrë”, duke hedhur poshtë çdo aludim për probleme apo dobësim.
Ai ka zbuluar edhe detaje nga rutina e tij e përditshme, duke theksuar se kryen rreth katër orë aktivitet fizik në ditë. Sipas tij, një nga aktivitetet kryesore është ping-pongu, ku shprehet me bindje se vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer.
“Jam kampion absolut dhe edhe pse kundërshtarët janë më të rinj në moshë, nuk më kanë mundur dot”, është shprehur Meta.
Sa i përket ndryshimeve në pamjen e jashtme, ai ka sqaruar se ato lidhen me kushtet e jetesës dhe mungesën e shërbimeve të zakonshme, si dhe cilësinë e ujit, duke përjashtuar çdo problem shëndetësor apo mungesë ushqimi.
Në fund të reagimit të tij, Meta ka ironizuar komentet dhe analizat që janë bërë në media dhe rrjetet sociale, duke i cilësuar si përpjekje për të devijuar vëmendjen nga çështje më të rëndësishme politike dhe hetimore.
