reth 25 miliardë dollarë i ka kushtuar deri më sot Shteteve të Bashkuara lufta me Iranin, sipas zyrtarit më të lartë financiar të Pentagonit, i cili informoi ligjvënësit gjatë një seance të së mërkurës.
Jules Hurst, drejtuesi financiar i Pentagonit, deklaroi para Komisionit të Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve se pjesa më e madhe e shpenzimeve lidhet me municionet, ndërsa fonde të konsiderueshme janë destinuar edhe për mirëmbajtjen dhe zëvendësimin e pajisjeve ushtarake.
Kostoja totale e konfliktit ka qenë deri vonë e paqartë për Kongresin dhe është kthyer në një çështje politike, në një kohë kur po shqyrtohet kërkesa e presidentit Donald Trump për një buxhet mbrojtjeje prej 1.5 trilionë dollarësh për vitin fiskal 2027.
Duke reaguar ndaj raportimit, deputeti Adam Smith, përfaqësuesi kryesor i demokratëve në komision, theksoi se Kongresi kishte kërkuar prej kohësh të dhëna të qarta për koston e operacionit. “Jam i kënaqur që dhatë këtë përgjigje, sepse e kemi kërkuar prej shumë kohësh pa marrë një shifër konkrete”, u shpreh ai.
Deri më tani, 13 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane kanë humbur jetën në këtë luftë, e cila aktualisht ndodhet nën një armëpushim të brishtë.
