Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët, ku dënoi trajtimin, sipas tij, çnjerëzor të Ilir Metës dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm!
Këto akte, tha Berisha, janë urdhëruar direkt nga Edi Rama.
Trajtimi çnjerëzor i kryetarit të PL, Ilir Meta, akt i hakmarrjes primitive të Edi Ramës.
Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo.
Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës, dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës.
Ky akt hakmarrës i verbër nuk është një qëndrim i rastit dhe as i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, zotit Ilir Meta.
Në tetor të vitit 2024, me urdhër direkt të Edi Ramës, Ilir Meta u arrestua nën filmim, tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti.
Ai u nxor me forcë në rrugë nga makina me të cilën udhëtonte nën mbrojtjen e Gardës së Republikës, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur për aktin e tyre dhe si person nën hetim u dërgua në burg.
Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik.
Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme.
I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare.
Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcën më të madhe arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara direkt nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.
PD i bën thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës të ndërhyjë me urgjencë ndaj akteve të hakmarrjes primitive antikushtetuese ndaj Ilir Metës të Edi Ramës, armik i egër i pluralizmit politik dhe Ramaduro i parë dhe i vetëm në Europë.
Daniela Maloku, REPORT TV: Për të qëndruar tek seanca e djeshme e zotit Meta. Krahas kërkesës së tij për të mos qëndruar në kafazin e qelqtë, gjykata i rrëzoi edhe kërkesën që seanca të jetë publike. A ndan Sali Berisha të njëjtin qëndrim me Ilir Metën që seancat gjyqësore të bëhen publike dhe në sytë e opinionit publik dhe të medias për të marrë vesh se çfarë ndodh në ato seanca?
Sali Berisha: Unë mendoj dhe kam bindjen më të thellë se çdo seancë, përjashtuar ato të cilat kanë sekrete të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, duhet të jenë publike dhe vetëm publike.
Kjo është një normë për çdo vend të lirë. Kur një seancë bëhet e mbyllur, bëhet për qëllime të sekretit shtetëror dhe asgjë tjetër nuk mund të mbahet fshehur nga mediat dhe publiku.
Ky është mendimi im dhe ky është edhe standardi i çdo vendi të lirë dhe jo i diktaturave autoritare dhe aq më pak narkodiktaturave, të cilat ndjekin omertën apo ligjin e heshtjes, heshtjen mediatike e kam fjalën, e kanë ligjin e tyre themelor.
