Kryeministri Edi Rama theksoi se në vizita në Abu Dhabi ku takoi presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, ishte një vizitë solidariteti, në një moment shumë të ndjeshëm për vendin e tij dhe atë rajon të përfshirë në konflikt si rezultat i sulmit të Teheranit.
Në Athinë, Rama mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi-t, ku u takua me homologun grek Kyriakos Mitsotakis. Ata diskutuan ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe angazhimin për të adresuar çështjet e mbartura mes dy vendeve.
Rama u shpreh optimist për përforcimin e partneritetit strategjik me Greqinë dhe për mbështetjen e saj në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Rama tha se Greqia i ka thënë “PO” integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit Mitsotakis ka një vullnet absolut për të bërë pikërisht adresimin me prioritet të të gjitha çështjeve të bartura për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian“, tha Rama.
