Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi me kërkesë të SPAK-ut dhe prokurorëve Altin Dumani dhe Bledar Maksuti ka vendosur sekuestro preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, që ka lidhje me hetimet ndaj AKSHI-t.
Sipas veprimeve hetimore të kryera deri më tani të evidentuara në dosje, krijohet dyshimi i arsyeshëm se shtetasit Ermal Beqiri, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Gëzim Hoxha dhe Andis Papa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, janë përfshirë në një skemë të mirorganizuar, me qëllim kontrollimin e procedurave të prokurimit, të cilat tenderohen nga Autoritetit Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit (AKSH), me qëllim krijimin e përftimeve të padrejta materiale.
Në dosjen voluminoze theksohet se shtetasja Mirlinda Karçanaj, në rolin e titullarit të Autoritetit Kontraktor (AKSH), shtetasja Hava Delibashi, në cilësinë e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të AKSH (më herët në cilësinë e drejtoreshës juridike), kanë siguruar vendosjen e kritereve të paligjshme në procedurat e prokurimit, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta, për operatorët ekonomikë “Sofi & Solution sh.p.k, “First” sh.p.k dhe “Fastech” sh.p.k, apo dhe shoqërive të tjera tregtare, të lidhura në mënyrë të tërthortë me shtetasin Ermal Beqiri, si shoqëritë “Horizon” sh.p.k. dhe “Communication Progress” sh.p.k.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me të ardhurat e paligjshme të përfituara në mënyrë korruptive nga Mirlinda Karçanaj, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, të cilat të analizuara në harmoni me njëra-tjetrën bëjnë të besohet fakti se ajo ka përfituar nga shtetasi Daniel Shima, vlerën prej 200.000 eurosh, në mënyrë indirekte nga shtetasja Arjola Koromani (nëpërmjet shtetasit Daniel Shima) në disa raste ka marrë “kuti të vere” të mbushura me kartëmonedha EURO të prerjeve 100, 200 dhe 500.
Po ashtu, sipas hetimeve ka përfituar nga persona të tjerë të lidhur me shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ku përmendet blerja e tri pasurive, dy në Tiranë dhe një në Qerret, me qëllim favorizimin e shoqërisë “Soft & Solution” apo dhe kompanive të tjera, në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga institucioni që ajo drejtonte AKSHI
