Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, aty ku pritet të ketë takime të rëndësishme.
Rama mbërriti në Athinë dhe në vazhdim të programit të tij së bashku me bashkëshorten Linda Rama do të darkojë me ambasadoren amerikane në rezidencën e kësaj të fundit në Athinë.

Mes Ramës dhe ambasadores Kimberly Guilfoyle ka një marrëdhënie të fortë miqësore. Në të kaluarën zoti Rama dhe ambasadorja Amerikane në Greqi kanë shkëmbyer vizita reciproke në Athinë dhe Tiranë.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Greqi, me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, (21-23 prill) një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota.

Në forum do të diskutohet për sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global.
