Tiranë – Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pas një konflikti të ndodhur disa ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Kamëz.
Sipas hetimeve, gjatë përplasjes mes disa personave, i riu dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e njërit prej të përfshirëve në konflikt, si dhe një personi tjetër që tentoi të ndërhynte. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Details”, në kuadër të të cilit u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit A. H., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezulton se në konflikt janë përfshirë gjithsej 6 persona. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe 5 shtetas të tjerë, të identifikuar si R. S., R. S., F. Gj., D. D. dhe R. Gj., të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e përplasjes.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal ndaj pronarit të lokalit për moskallëzim krimi.
Policia po vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
