Një ngjarje e rëndë ka tronditur Korçën, ku mësuesi Alban Bejleri ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak. I diplomuar në dy fakultete, ai ishte dërguar të jepte mësim në një zonë të thellë malore, ku përballonte çdo ditë rrugë të gjatë në këmbë, pavarësisht problemeve të tij shëndetësore.
Sipas familjarëve, Bejleri përshkonte rreth 16 kilometra në ditë për të dhënë mësim për vetëm dy nxënës. Ai u gjet i pajetë në rrugë, ndërsa dyshohet se nuk arriti t’i mbijetojë lodhjes dhe gjendjes së rënduar shëndetësore. Rasti i tij ka ngritur shqetësime për kushtet në të cilat punojnë mësuesit në zonat e thella.
Xhaxhai i tij, Besim Bejleri, në deklaratën e tij theksoi se ai “vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh”, duke bërë thirrje ndaj politikës: “Kujdes o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve.” Ai kërkoi që personat e sëmurë të jenë pranë familjes dhe të mos përballen me kushte të tilla të vështira pune.
