Babai me vajzën e djalin ishin në gjumë, 3 fëmijët e tjerë dhe nëna nuk ishin në shtëpi. Zhvillimet e fundit të tragjedisë në familjen Berisha
Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e rëndë në Malishevë, ku humbën jetën një baba 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të mitur, pasi një zjarr përfshiu banesën e tyre në lagjen “Mirëdita”.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se në momentin kur shpërtheu zjarri, Ilir Berisha dhe dy fëmijët e tij, vajza 9 vjeçe Naile Naile dhe djali 12 vjeçar Kujtimi, ndodheshin në gjumë brenda banesës.
Në të njëjtën kohë, në shtëpi nuk ndodheshin nëna dhe tre fëmijët e tjerë të familjes, çka ka shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Tre viktimat janë transportuar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku mjekët kanë konstatuar se ishin pa shenja jete.
Sa i përket shkaqeve të zjarrit, hetimet janë ende në vijim. Dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga kabllot elektrike, por po hetohet edhe pista e një bombole gazi. Deri tani, asnjë version nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka reaguar për këtë humbje të rëndë, duke e cilësuar si një dhimbje të papërshkrueshme për gjithë komunitetin.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë që ndodhi në lagjen Mirdita në Malishevë, ku humbën jetën Ilir Berisha dhe dy fëmijët e tij, vajza Naile dhe djali Kujtimi. Kjo është një humbje e madhe dhe një dhimbje e papërshkrueshme për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin tonë. Në emër të Komunës dhe në emrin tim personal, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë në këto momente të vështira”, deklaroi Kastrati.
Ai shtoi se institucionet përkatëse janë duke u marrë intensivisht me rastin dhe se pritet që shkaqet e kësaj tragjedie të zbardhen sa më shpejt.
