Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli u ndal gjerësisht te çështja e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës dhe debatet që e kanë shoqëruar këtë projekt.
Pacolli ritheksoi dhe një herë faktin se sipas tij nuk ishte i pranishëm në momentin kur dhe është firmosur kontrata dhe se firma e tij është falsifikuar.
“Nuk kam qenë i përfshirë në nënshkrimin e kontratave. Nuk kam nënshkruar. Kam qenë një person i informuar,” u shpreh ai, teksa sa i përket akuzave të ngritura nga SPAK, ai i hodhi poshtë kategorikisht, duke theksuar se kompania e tij ka një eksperiencë të gjatë në ndërtimin e aeroporteve dhe nuk ka pasur probleme të mëparshme.
I pyetur në pas nga Fevziu se a e ka vendosur në dijeni kryeministrin Edi Rama lidhur me këtë situatë, Pacolli u ndal te takimi i verës ku dhe deklaroi se i kishte shprehur shqetësimin e tij kreut të qeverisë. Mirëpo, që prej asaj dite nuk i ka dërguar asnjë mesazh kryeministrit Rama, duke shtuar më tej se informacioni që mbërrin te kreu i qeverisë është i “paplotë”.
“Unë shpresoj shumë se kryeministri informohet. Nuk kam punë. Nuk kam asnjë tagër që t’i shkruaj kryeministrit. Në takimin e gushtit i kam treguar ku qëndron problemi dhe sinqerisht unë frikësohem se zoti Rama nuk është i informuar drejt. Nuk e di situatën si qëndron dhe këtë nuk e kuptoj, se ai ka shumë. Unë nuk kam pretendime për Ramën, se ai është kryeministri ynë dhe ai ka detyra të tjera, por shpresoj që njerëzit rreth tij e kanë informuar drejt. Por, unë kam frikë se nuk është informuar drejt. Kam frikë se kryeministri nuk e di që unë, prej tetorit, nuk mundem të veproj, të punoj. Ai nuk e di se inxhinierët e mi ndalohen”, shtoi Pacolli, ndërkohë që paralajmëroi më tej se nëse nuk gjen zgjidhje nga drejtësia shqiptare atëhere do ta çojë në Arbitrazh ku dhe shtoi se “dëmi” për Shqipërinë do të jetë shumë i madh.
