Një histori frymëzuese suksesi vjen nga Italia, ku një mjek shqiptar po vlerësohet si një nga emrat më të spikatur në kirurgjinë e zemrës. Bëhet fjalë për Enkel Kallushin, i cili ka arritur të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme në një nga qendrat më prestigjioze mjekësore.
Sipas mediave italiane, Kallushi konsiderohet ndër kirurgët më të mirë në spitalin “Gaetano Pasquinucci”, ku çdo ditë përballet me raste të vështira dhe shpëton jetë njerëzish. Vlerësimet për të nuk kanë munguar, madje është cilësuar si mjeku në duart e të cilit janë “mijëra zemra”.
I lindur në Tiranë, ai kreu studimet për mjekësi në Shqipëri dhe më pas vendosi të ndjekë rrugën e specializimit jashtë vendit. Në vitin 2000 u transferua në Itali për të vazhduar një master në Massa, një hap vendimtar që i hapi dyert drejt një karriere ndërkombëtare.
Vetë Kallushi është shprehur se dashuria për kirurgjinë kardiake lindi që në momentet e para kur pa nga afër ndërhyrjet kirurgjikale. Edhe pse fillimet ishin të vështira, përkushtimi dhe pasioni e çuan drejt suksesit.
Që prej vitit 2010, ai është pjesë e Fondacionit Monasterio, ku punon si kirurg kardiak për të rritur. Deri më sot, mbi një mijë ndërhyrje mbajnë firmën e tij, duke e kthyer në një nga figurat më të respektuara në këtë fushë.
Një tjetër shqiptar që po shkëlqen jashtë vendit dhe po ngre lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
