Ajola Xoxa shpëton nga masat e sigurisë, rriten shpresat për lirimin e Erion Veliajt nga qelia, çfarë do të ndodhë më 9 prill
Trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë i përbërë nga gjyqtaret Engjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu pranoi të hënën më 30 mars kërkesën e depozituar katër ditë më parë nga Ajola Xoxa, për revokimin ose zëvendësimin e masave të sigurimit personal të vendosura ndaj saj në shkurt të vitit të kaluar, për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore. Gjykata vendosi revokimin e këtyre masave kufizuese.
Argumentet e paraqitura nga Xoxa kanë të bëjnë me shkaqe shëndetësore, si rrjedhojë e shtatëzanisë dhe nevojave që ka për të marrë trajtim mjekësor edhe jashtë vendit. Shqetësimi për vijimin e masave të sigurimit në kushtet kur Xoxa është shtatëzënë, është ngritur më parë nga mbrojtësit e saj edhe gjatë gjykimit në themel të çështjes penale ndaj saj, bashkëshortit Erion Veliaj, e disa biznesmenëve të akuzuar për korrupsion e pastrim parash.
Rriten shpresat për lirimin e Veliajt nga qelia
Ky vendim i drejtësisë rrit shpresat për liri edhe të Erion Veliajt, pasi avokatët mbrojtës të kryebashkiakut kanë ndërmarrë hapa ligjor kundër vendimeve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të cilat e lanë atë në burg. Ata kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të GJKKO dhe pritet që më 9 prill të ketë “dritë në fund të tunelit” për Veliajn në Gjykatën e Lartë për një masë më të lehtë sigurie.
Nga ana tjetër, burime bëjnë me dije se ka një investim të fortë të kryeministrit Edi Rama në prapaskenë për ta nxjerrë nga burgu në këmbim të dorëheqjes si kryebashkiak për të çuar Tiranën në zgjedhje të parakohshme. Gazeta “Sot” ka raportuar në artikujt e kaluar se Rama është angazhuar në terren për të takuar socialistët, duke përqendruar në Tiranë drejtuesit e qarqeve dhe duke i prezantuar nëpër njësitë një nga një. Kjo tregon se ai ka ndezur motorët për një fushatë të parakohshme elektorale në kryeqytet, pasi dyshohet se ka marrë garanci se Veliaj do të japë dorëheqjen në këmbim të lirisë.
Çfarë po ndodh me Veliajn?
Ndërkohë kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ende nuk ka marrë në dorëzim dosjen, të cilën pas urdhrit të Gjykatës së Posaçme, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ia çuan në paraburgimin e Durrësit, por pa inventar të fashikujve. Ky fakt u bë i ditur pak ditë më parë në seancën e radhës të gjyqit në themel, ku Veliaj mungoi dhe u përfaqësua nga avokati i tij i ri, ish-deputeti socialist Plarent Ndreca. “Materialet duhet t’i vihen në dispozicion klientit tim sipas procedurave ligjore.
Materialet nuk i janë dorëzuar klientit të tij në përputhje me ligjin, pasi mungon inventari dhe nuk është garantuar prania e mbrojtësit. Kërkojmë nga gjykata ripërsëritjen e procedurës për njohjen me aktet”, tha Ndreca. Prokurorët e kundërshtuan këtë pretendim duke deklaruar se Veliaj ka refuzuar t i marrë fashikujt që tashmë ndodhen në dhomën e takimit me psikologun në burgun e Durrësit. Sipas procesverbalit të dorëzimit të dosjes, që u lexua në sallë nga prokurori Ols Dado, kryebashkiaku Veliaj e ka bërë përgjegjës për abortin e dy fëmijëve.
Gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për t’i marrë provat me inventar. Ndërkaq seanca u shty për më 1 prill për shkak se mungoi një nga të pandehurit, Meriman Palushi, bashkë me avokaten. Tre të pandehurve që janë me masë sigurie, krybashkuakut Veliaj dhe biznesmenit Elman Abule, i cili është paraqitur në të gjitha seanca dhe që ndodhet me masë arrest shtëpie, iu pezulluan afatet e paraburgimit deri në seancën e radhës.
Kjo është seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj kryebashkiakut, e cila ashtu si e para u shty për shkak të mungesës së avokatit të biznesmenit të pandehur Gentjan Sula dhe ende nuk është hapur shqyrtimi gjyqësor.
Veliaj ndodhet në masë arresti me burg prej 10 shkurtit të vitit 2025. Ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. E pandehur është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, disa biznesmenë dhe ish-deputetja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës
