Me argumentin e “gjendjes shëndetësore”, Gjykata e Posaçme shfuqizoi masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit” për Ajola Xoxën, bashkëshorte e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilët po gjykohen bashkë me 28 të pandehur të tjerë për korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë.
Në seancën ku vetë Xoxa nuk ishte e pranishme, avokatët Maksim Haxhiaj dhe Dritan Jahaj argumentuan se për shkak të shtatzënisë mjekët e kanë këshilluar të mbrojturën prej tyre që të mos lëvizë, e për këtë arsye e ka të pamundur paraqitjen para oficerëve të BKH-së. Për të bindur gjykatën për gjendjes e saj, mbrojtësit paraqiten dhe dokumentet gjyqësore si dhe këmbëngulën në faktin se nuk ka më asnjë rrezik që ajo t’i shmanget drejtësisë, pasi gjatë kohës që ishte nën këto masa sigurie, i ka zbatuar me përpikëri.
Gjykata pasi e shqyrtoi kërkesën e pranoi atë, cka do të thotë se Ajola Xoxa do të gjykohet për akuzat penale pa ndonjë masë sigurie, ndryshe nga bashkëshorti i saj, Erion Veliaj që mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të vitit të kaluar.
