Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë ka njohur një përshpejtim të fortë falë përmbushjes së detyrave të lëna nga Brukseli, por edhe falë synimit të BE-së për ta çuar para zgjerimin.
Në një intervistë për “RAI”, kryeministri shtoi se Italia është mbështetësi kryesor i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Italia nuk është një nga mbështetësit kryesorë, por Italia është mbështetësi kryesor i Shqipërisë me BE. Korridori 8 është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm që, në të vërtetë, falë kësaj qeverie që është në Itali, përfundimisht ka hyrë në një fazë të re”, u shpreh kryeministri.
Rama u pyet edhe për projektin 1 miliard euro të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë, duke e konsideruar këtë një projekt të rëndësishëm përtej Italisë.
“Është e vërtetë që kemi firmosur një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve Arabe për këtë projekt, që është sërish një projekt strategjik i Europës që nis nga Shqipëria dhe Italia”, tha Rama.
