Drejtori i ri i Policisë së Shtetit vijon të jetë ende enigmë, edhe pse emri i kandidatit të cilin ministri i propozon këshillit të ministrave për miratim duhet të ishte publikuar këtë të enjte (dy ditë më parë). Pas skadimit të afatit prej 48 orësh nga përfundimi i seancës së fundit dëgjimore me 14 kandidatët për postin e kryepolicit, Ministria e Brendshme ende nuk ka bërë publike listën e vlerësimit me pikë të kandidatëve.
Mirëpo nga burime jo zyrtare bëhet me dije se Tonin Vocaj rezulton kandidati më i vlerësuar, nga procesi i përzgjedhjes. Vocaj është renditur i pari për nga pikët, ndërsa pas tij vjen Lorenc Panganika, i cili gjithashtu konsiderohet një pretendent i fortë për postin. Lista me kandidatët më të vlerësuar i është dorëzuar nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, kryeministrit Edi Rama, i cili do të marrë vendimin përfundimtar gjatë këtyre ditëve. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë dhe se kush do të jetë pasuesi i Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit.
Gara për kandidatët
Ndërkohë kujtojmë se largimi i Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit më 1 mars hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e kryepolicit të ri, një proces që tashmë ka hyrë në fazën më vendimtare. Pas filtrit të aplikimeve dhe verifikimeve ligjore, këtë të martë në Ministrinë e Brendshme u zhvillua “testi final” për 14 kandidatët e mbetur në garë. Dy aplikante gra u skualifikuan që në nisje, pasi ligji kërkon që kandidatët të jenë pjesë e strukturave të policisë.
Intervistimet nisën sipas rendit alfabetik me drejtorin aktual të Policisë së Durrësit, Afrim Tafa, një emër i ri në nivelet e larta drejtuese, por i përfolur për një ngjitje të shpejtë. Pas tij, në garë u paraqitën Alfred Çepe dhe Arjanit Arapi, ndërsa një nga emrat më të fortë, Elidon Çela, drejtues i Policisë së Vlorës, prezantoi platformën e tij për postin më të lartë. Lista vijoi me figura me peshë në radhët e bluve si Gentian Berberi i Shkodrës, Gentjan Shehaj dhe ish-drejtori i Policisë Kriminale, Idajet Faskaj.
Për intervistë erdhi Lorenc Panganika, ish-drejtor i Tiranës dhe Fierit, i konsideruar pretendent seriozë, ndjekur nga kreu aktual i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati. Në garë hynë gjithashtu edhe Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi dhe Saimir Boshnjaku, ky i fundit i larguar së fundmi nga drejtimi i Kufirit dhe Migracionit. Në fund të listës, por jo më pak të rëndësishëm, u paraqitën Skënder Hita, drejtues i Policisë së Fierit, dhe Tonin Vocaj, ish-drejtor i Policisë Kriminale dhe i Tiranës, të dy emra me peshë që shihen si kandidatë potencialë për finalen.
Komisioni i posaçëm, i përbërë nga zv/ministrja e Brendshme Silva Caka, sekretarja e Përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, ka në dispozicion 48 orë për të pikëzuar kandidatët. Deri më 26 mars, ata do t’i dorëzojnë ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, listën me tre më të vlerësuarit. Megjithatë, vendimi final mbetet në dorë të ministrit, i cili mund të përzgjedhë cilindo prej 3 kandidatëve më të pikëzuar me një relacion argumentues për t’ia propozuar Këshillit të Ministrave, pavarësisht renditjes.
Procesi u zhvillua nën vëmendje të lartë diplomatike. Gjatë ditës, në Ministrinë e Brendshme u pa edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nensi VanHorn, ndërsa në orët e drekës mbërriti edhe ambasadori britanik, duke shtuar interesin dhe peshën ndërkombëtare mbi këtë garë kyçe për drejtimin e Policisë së Shtetit.
Lista e plotë e kandidatëve
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hitaj
Tonin Vocaj
