Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është pyetur gjatë një bashkëbisedimi “Harvard Institute of Politics”, për vendimin e shumë debatuar të vitit 2021 për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha.
Blinken theksoi se i qëndron plotësisht sanksioneve të vendosura nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndaj Berishës, duke nënvizuar se nuk ka asnjë dyshim apo hezitim për këtë vendim.
“Unë qëndroj plotësisht për sanksionet e vendosura ndaj z. Berisha. Nuk kam asnjë hezitim apo dyshim për këtë vendim, aspak”, u shpreh ai para një audience të mbushur në Harvard.
Pyetja u drejtua nga shtetasi shqiptar Fatjon Semanjaku, i cili duke rikujtuar vendimin e administratës së mëparshme amerikane për shpalljen “non grata” të Berishës, dhe faktin që Blinken e cilësoi kryeministrin Edi Rama “lider të shquar” gjatë një vizite në Shqipëri, i drejtoi këtë pyetje: “Dua të di sa i “shquar” duhet të jem që dyert e Zyrës Ovale të hapen në rast se bëhem kryeministër i Shqipërisë kur në Shtëpinë e Bardhë rikthehet fraksioni mafioz i George Soros i së majtës së sotme shumë shumë shumë malinje?”
