Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te siguria kibernetike.
Duke cituar një raport ndërkombëtar për lirinë në botë të Freedom House, Rama shprehet se Shqipëria ndodhet më lartë se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia.
Rama gjithashtu u ndal edhe te një raport tjetër, që e vendos Shqipërinë në dhjetëshen e parë për sigurinë kibernetike, duke kujtuar sulmet e Iranit disa vite më parë dhe duke thënë se tani, Irani po bën sulme të tjera kibernetike, por kësaj radhe, pa sukses.
“Edhe pse unë nuk jam një tifoz i flaktë i raporteve, e thashë edhe më parë, e dinë të gjithë, gjithsesi, kjo është një ditë shënimesh, ku jo një, po dy raporte zënë vend. Dhe ky i dyti është me një vlerë të veçantë në ditët e sotme, pasi është raporti për sigurinë kibernetike dhe për ne, kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse ne jemi në fokusin e një armiku, që na sulmoi në mënyrë të pamëshirshme, disa vite më parë, duke na gjetur, jo plotësisht të përgatitur, po pa mundur të na bëjë dëmin që parashikonte dhe na sulmon përditë, po tanimë, pa asnjë sukses apo me ndonjë gërvishtje të lehtë fare, siç ndodhi me disa materiale, krejt pa asnjë rëndësi të Kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se sistemi i Kuvendit nuk është ende plotësisht i integruar në sistemin tonë të mbrojtjes. Sipas këtij indeksi ndërkombëtar, Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë. Tani kështu është dhe hyn në një grup shumë të kufizuar vendesh me performancë të lartë në këtë fushë dhe në këtë rast, kjo përkon plotësisht me testimet e sistemit tonë mbrojtjes”, tha Rama.
