Pas rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës qeveria Rama ka reaguar me URGJENCË dhe ka vendosur që të ringrejë “Bordin e Transparencës”.
Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj e cila njoftoi vendimin e qeverisë për të ulur akcizën me 20%.
Ky vendim, tha Ibrahimaj pritet që të ulë çmimin e naftës.
“Sapo kam dalë nga një mbledhje e gjatë në Kryeministri, me kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Energjetikës, për të analizuar në detaje situatën. Duke parë ecurinë e ditëve të fundit dhe ndikimin e sulmeve të ditëve të fundit kemi vendosur të ringrejmë Bordin e Transparencës. Bordi ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ne kemi vendosur të ndërhyjmë edhe në çmimin e akcizës duke e reduktuar në 20%. Janë dy akte të cilat do t’i kalojnë Këshillit të Ministrave. Akciza është te 40 lekë dhe do të ulet te 20%. Do të marrim parasysh taksat dhe për çmimin e shumicës do të ketë një marzh 3 lekë për litër, ndërsa për pakicën 12 lekë për litër. Me anë të këtij mekanizmi garantojmë që çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë asnjë abuzim”, deklaroi Ibrahimaj.
Këto dy akte, bëri të ditur ministrja, do të kalojnë me urgjencë në Këshillin e Ministrave, ndërsa theksoi se këto çmime janë tavan dhe mbi to nuk mund të tregtohet, pasi ka penalitete.
