Raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Peter Beyer ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike ku është pritur në takim nga kryetari i partisë, Sali Berisha.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se informoi zyrtarin e lartë për zhvillimet e fundit politike në vend. Berisha tha se i qartësoi Beyer qëndrimin e opozitës pro integrimit të Shqipërisë në Evropë.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë”, tha Berisha.
Pasi doli nga selia blu, Peter Beyer është shprehur se biseda me Berishën ishte konstruktive me në fokus rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Sapo patëm një bisedë shumë frytdhënëse dhe konstruktive. Diskutuam për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, një vend që shpeshherë përmendet si një nga vendet kryesuese në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, nga këndvështrimi i Berlinit, ne shohim gjithashtu disa sfida dhe zhvillime të fundit në këtë vend, veçanërisht sa i përket çështjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë”, tha Beyer.
Por ja çfarë deklaronte kryeraportuesi për Shqipërinë në Bundestag Peter Beyer në vitin 2022 për takimet që ka zhvilluar në Tiranë, ku ka theksuar edhe njëherë temat e bisedave që ka zhvilluar nga çelja e negociatave, nisma Open Balkan, tek zhvillimet në Partinë Demokratike.
Deputeti gjerman ka theksuar edhe njëherë se “Partia demokratike rrezikon të izolohet edhe në Europë, përveçse në SHBA”. Beyer thekson qëndrimin e Partisë më të madhe simotër të demokratëve, CDU se nuk do të bashkëpunojnë me një person “non grata”, por do të qëndrojnë krah aletit më të madh, Amerikës.
