Shoferi i aksidentit me pasojë vdekjen e ndodhur dje në rrugën Levan-Tepelenë, ku humbi jetën një grua 39-vjeçare, është arrestuar ditën e sotme (9 mars).
Burime zyrtare nga Policia Rrugore e Fierit bënë me dije se i ndaluari është P. M., 57 vjeç, drejtues i automjetit tip “Benz” që përplasi viktimën, që gjithashtu drejtonte një tjetër mjet.
Ai akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Aksidenti ndodhi një ditë më parë, kur automjeti “Benz”, i drejtuar nga 57-vjeçari, u përplas me një automjet tip “Kia”, që drejtohej nga shtetasja N. A., 39 vjeçe, e cila humbi jetën si pasojë e përplasjes.
Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe drejtuesi i “Benz”-it dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin e tij, shtetasi S. R., ndodhen aktualisht në spital duke marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Pas ngjarjes dje Policia informoi se:
“Rreth orës 07:20, në aksin rrugor “Levan–Tepelenë”, shtetasja N. A., rreth 39 vjeçe, duke drejtuar automjetin tip “Kia”, është përfshirë në një aksident rrugor me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin P. M. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë në vendngjarje shtetasja N. A., ndërsa shtetasi P. M. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin tip “Benz”, shtetasi S. R., ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën”.
