Kryeministri Edi Rama komentoi sot para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me projektin strategjik të portit të Porto Romanos në Durrës, pas kërkesës së Dhomës Amerikane të Tregtisë për rishikim të tenderit.
Rama theksoi se projekti është një nga proceset më të ndërlikuara infrastrukturore që qeveria ka realizuar dhe se përpjekjet për ta penguar janë të kota.
“Dua të them dy fjalë për Porto Romanon. Është një plan strategjik që ka krijuar xhelozi dhe rezistencë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ky është një proces shumë i sofistikuar, me pjesëmarrje globale, monitoruar nga konsulenti Royal Haskoning dhe i shoqëruar nga një garë e jashtëzakonshme, por edhe me armiqësi ndaj projektit. Ata që po e luftojnë, ata që nuk po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar, i kanë bërë llogaritë gabim – projekti do bëhet!” deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se qeveria nuk ka plan B vetëm për Bashkimin Evropian, ndërsa për çdo çështje tjetër është e gatshme të veprojë sipas planit C.
Ky reagim vjen pas letrës publike të kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleeve, i cili kërkoi shtyrjen e tenderit për Porto Romanon. Van Cleeve argumentonte se projekti aktual i portit është shumë i kufizuar për të shfrytëzuar potencialin strategjik të Shqipërisë në rajon dhe paralajmëronte se vendi mund të humbasë mundësinë për t’u bërë një qendër kryesore logjistike në Ballkan nëse porti ndërtohet sipas planit aktual.
Rama e konsideroi projektin vendim strategjik për vendin dhe garantoi se ai do të realizohet sipas planit të qeverisë, pavarësisht nga presionet apo kërkesat për rishikim.
