Ish-ministri i Financave, Arben Malaj i ka bërë thirrje publike kryeministrit dhe qeverisë që të ndalojnë shpalljen e fituesit për portin e Durrësit, pasi sipas tij është një “rrezik për sigurinë dhe ekonomimnë kombëtare”
“Shpallja e një fituesi me risk të lartë për ndërtimin dhe menaxhimin e Portit të Ri të Durrësit është një “Thikë mbas shpine ” kundër sigurisë kombëtare” shkruan Malaj.
Sipas ish-ministrit socialist: “Portet kryesore nuk mund të zvogëlohen apo të tjetërsohen për interesa korruptive të qeveritarëve apo edhe arsyeve me te thella?! Kjo pasi portet janë pikat ku ndërthuren interesat e fuqive të mëdha dhe ku përcaktohet pasuria dhe e ardhmja e një kombi.”
Malaj e konsideron portin jo vetëm si një infrastrukturë fizike por si një mjet gjeopolitik. Më tej ai ka shtuar se nëse Shqipëria i dorëzon çelësat e ndertimit të portit më strategjik të vendit “një “kompanie” pa transparencë të plotë mbi “Pronarin Përfitues”” rrezikon në shumë aspekte.
Përfshirë këtu sipas tij sabotimin e korridorit VIII, rezikun që të përfundojë si vende të tjera të rajonit që humbën portet e tyre strategjike për shkak të financimeve “bujare” nga vende jo miqësore me aleatët tane strategjikë, si edhe shton se skualifikohen kompanitë prestigjoze perëndimore në favor të një oferte “hije” vërteton se gara është e paracaktuar.
“THIRRJE PËR VEPRIM TË MENJËHERSHËM Qeverisë: Mos e shpallni nesër fituesin! Ky vendim mund t’i kushtojë ekonomisë shqiptare rreth 400 milionë euro dëm të drejtpërdrejtë dhe humbje të pakthyeshme strategjike” shkruan ai më tek teksa u bën thirrje edhe Strukturave të Inteligjencës (SHISH & NATO): “Është koha për një kontroll rigoroz (Veting) mbi këtë investim.”
Në përfundim Malaj ka shkruar se shteti shqiptar do të duhet të përdorë mekanizmin e skanimit FDI për “të verifikuar çdo qindarkë që hyn në këtë projekt përpara se të jetë vonë.” Teksa bën edhe një herë thirrje për shpalljen e fituesit.
Kujtojmë se ditën e sotme pritet që qeveria të shpallë fituesin për portin e Durrësit, ndërkohë që ish-ministri Arben Malaj, edhe herë të tjera ka shprehur mosdakordësinë e tij në lidhje me projektin e portit të Durrësit.
