Ekspertja ekonomiste, Romina Radonshiqi ka dhënë sqarime lidhur me shqetësimet e pensionistëve për mosmarrjen e bonusit në muajin shkurt, duke theksuar se pensionistët që nuk e kanë përfituar duhet të bëjnë ankesë në platformën e-Albania. Sipas saj, është e pamundur që një pensionist ta marrë bonusin në një muaj dhe të mos e marrë në muajin pasardhës për shkak të ndonjë ndryshimi në pension.
“Në fakt kjo është gjë e pamundur dhe e them këtë sepse nuk është se ka pasur indeksim që të mendosh që ai që e merr në janar nuk e merr dot në shkurt, që do të thotë që të gjithë ata pensionistë të cilët nuk e kanë përfituar në shkurt bonusin, atëherë do duhet që të ankohen pranë e-Albania-s me qëllim që të kenë mundësi të marrin bonusin”, tha ajo.
Ekspertja theksoi se ka pasur raste kur pensionistët që kanë bërë kërkesë kanë arritur të marrin pagesat e prapambetura.“Nëse ka pasur pensionistë të cilët nuk e kanë marrë bonusin dhe kanë bërë kërkesë tek e-Albania, kemi pensionistë të cilët kanë mundur të marrin bonusin për tre muajt që nuk e kanë marrë, që do të thotë për janarin, për shkurtin dhe për marsin. Pra sot Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka korrigjuar gabimin e bërë duke mos u dhënë disa pensionistëve bonusin që u takonte me të drejtë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se lajmet që flasin për persona që e kanë marrë bonusin në janar por jo në shkurt nuk kanë logjikë ekonomike. “Ky lajm i cili flet për individë të cilët e kanë marrë bonusin në janar por nuk e kanë marrë në shkurt, mua më duket pasens, për shkak se nga janari në shkurt apo nga shkurti në mars nuk ka pasur indeksim pensionesh”, tha ekspertja. Sipas saj, pensionistët duhet të paraqesin ankesë pranë Instituti i Sigurimeve Shoqërore përmes e-Albania nëse nuk e kanë marrë bonusin. “Për të gjithë ata pensionistë të cilët nuk e kanë marrë, duhet t’i drejtohen e-Albania-s me kërkesë, pra ankesë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore me qëllim që ta përfitojnë”, theksoi ajo. Ndërkohë, ekspertja sqaroi edhe një keqkuptim që mund të kenë pasur pensionistët lidhur me mënyrën e përfitimit të bonusit.
“Ndoshta pensionistët mos kanë pretenduar që në rastin e shtimit të bonusit 8.000 lekë, mos mendojnë që në janar është marrë një shumë dhe në shkurt do të shtohet përsëri. Nuk është kështu. Pra nëse ka marrë në janar 208.000 lekë, do marrë 208.000 lekë çdo muaj deri në fund të vitit. Rritja është 8.000 lekë dhe është konstante, nuk është që çdo muaj shtohen nga 8.000 lekë”, u shpreh ekspertja.
Çfarë po ndodh me skemën e pensioneve?
Nga ana tjetër qeveria ka transferuar 167 milionë euro të pashpenzuara nga buxheti i vitit 2025 në Fondin e Veçantë të Pensioneve, me synimin për të forcuar qëndrueshmërinë financiare të skemës në një moment kur sistemi përballet me presione strukturore dhe shumë pensionistë jetojnë pranë kufirit të varfërisë. Sipas ekspertit të ekonomisë, Elvin Meka, kjo është një qasje e pazakontë dhe e paprecedentë, që synon adresimin e problematikave të reformës në fushën e pensioneve.
“Është një lloj mënyre për të ndihmuar ose për të mbështetur skemën e pensioneve, e cila mesa duket në vitet që do të vijnë do të ketë një barrë akoma më të madhe sa i përket peshës në buxhetin e shtetit, jo vetëm nga rritja dhe indeksimi i pensioneve, por edhe nga vetë rritja nominale e numrave, dalja gjithmonë e më shumë e pensionistëve”, tha eksperti. Sipas tij, kjo ndërhyrje nuk përbën një hap strukturor në mbështetje të skemës së pensioneve. “Nuk klasifikohet në konceptin strategjik, më shumë se atë taktik dhe operacional”, nënvizoi ai. Meka thekson se, në një situatë normale, fonde të tilla nuk duhet të ekzistonin dhe, me rritjen e mirëadministrimit, ato do të duhej të zvogëloheshin ose të eliminoheshin plotësisht.
“Kjo iniciativë e qeverisë krijon fonde të tilla, të cilat në një mënyrë apo tjetrën shkojnë për mbështetjen e skemës së pensioneve”, theksoi eksperti Meka. Për ekspertin, vendimtar për reformën mbetet roli që do të marrë qeveria në krijimin e shtyllës së dytë të skemës së pensioneve. “Diskutimi i reformës ka të bëjë me faktin nëse qeveria do të vendosë apo jo të jetë bashkëfinancuesee shtyllës së dytë të pensioneve.
Ky është ndryshimi real që pritet ose që i jep tonin reformës së ardhshme të pensioneve”, theksoi ai. Në vlerësimin e ekspertit, ndërhyrja aktuale është një element që ndihmon në plotësimin e boshllëqeve të skemës, me qëllim që të mos rritet më tej pesha e fondit të pensioneve mbi buxhetin e shtetit
