NATO ka dënuar shënjestrimin e Turqisë nga Irani, duke thënë se qëndron fort me të gjithë aleatët e saj.
“Ne e dënojmë shënjestrimin e Turqisë nga Irani. NATO qëndron fort me të gjithë aleatët, përfshirë Turqinë, ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin”, tha zëdhënësja Allison Hart.
Qëndrimi ynë i parandalimit dhe mbrojtjes mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore”, tha Hart.
Ministria turke e mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë balistike iraniane të lëshuar drejt hapësirës ajrore turke.
Ministria tha se Turqia do të flasë me NATO-n dhe aleatët e saj të tjerë pas incidentit.
Reagimi i Turqisë:
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë ka bërë të ditur se një raketë balistike e lëshuar nga Irani ka kaluar mbi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, duke u drejtuar më pas në drejtim të territorit turk.
Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet turke sqaruan se raketa është neutralizuar në ajër nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s, përpara se të hynte në hapësirën ajrore të Turqisë.
Ministria deklaroi në një deklaratë se nuk pati viktima ose të plagosur në incident, duke shtuar se Turqia rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor kundër saj, ndërsa paralajmëroi palët të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë konfliktin.
Sipas të njëjtave burime, fragmenti që ra në rajonin Dortyol, në provincën Hatay, është identifikuar si pjesë e një municioni të sistemit të mbrojtjes ajrore që realizoi interceptimin e objektivit në ajër.
Autoritetet konfirmuan se nga incidenti nuk raportohen viktima apo persona të lënduar, ndërsa situata po monitorohet nga strukturat përkatëse të sigurisë.
