Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur një dron godet pranë Konsullatës së SHBA në Dubai, duke shkaktuar një zjarr dhe panik në zonë.
Sipas zyrës së medias së qeverisë së Dubait, zjarri u shkaktua nga një incident i lidhur me dron dhe shpërtheu në afërsi të konsullatës amerikane. Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë, duke e vënë situatën nën kontroll brenda pak minutash.
Autoritetet konfirmuan se zjarri është shuar plotësisht dhe nuk ka persona të lënduar. Një zyrtar amerikan dhe autoritetet lokale i thanë “Wall Street Journal” se droni ka goditur parkingun e konsullatës, duke shkaktuar dëme materiale të kufizuara.
Pamjet që po qarkullojnë online tregojnë shtëllunga të zeza tymi që ngrihen pranë godinës diplomatike, ndërsa zona rrethohet nga forcat e sigurisë.
Media shtetërore iraniane IRIB raportoi se një dron iranian kishte goditur konsullatën amerikane në Dubai, sipas raportimeve të “New York Times”, por autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi origjinën e mjetit fluturues.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon. Një ditë më parë, ambasada amerikane në Arabinë Saudite u godit nga dy dronë, duke shkaktuar zjarr të kufizuar dhe dëme të lehta materiale. Ndërkohë, ambasada e SHBA në Kuvajt njoftoi mbylljen “deri në një njoftim të dytë”.
Autoritetet në Dubai theksuan se mbeten të përkushtuara për sigurinë e plotë të qytetarëve dhe personelit diplomatik.
