Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në rrugën nacionale që lidh Sarandë me Delvinë, në afërsi të fshatit Stjar, përballë fshatit Mavropull.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet përkatëse.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Toyota, që drejtohej nga shtetasi Fatmir Kuçi, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në një kanal anësor.
Ende nuk dihen me saktësi shkaqet e aksidentit, por dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit mund të ketë ardhur si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur.
Si pasojë e daljes nga rruga, janë dëmtuar drejtuesi i mjetit, Fatmir Kuçi, si dhe pasagjerja, shtetasja Kano Kuçi. Menjëherë pas njoftimit, ambulanca ka mbërritur në vendngjarje dhe i ka transportuar të plagosurit drejt urgjencës së spitalit të Sarandës për ndihmë mjekësore.
Sipas bluzave të bardha, të dy të lënduarit kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme lidhur me këtë ngjarje.
