Pas ndryshimeve në qeveri, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 09:00 Kryesinë e Partisë Socialiste ne seline roze.
Në fokus të mbledhjes do të jetë caktimi i datës të Asamblesë të PS-së. Ky takim i socialistëve vjen pak ditë pas mbledhjes së Grupit të PS, ku dhe u kryen ndryshimeve të mëdha në qeveri, si edhe shkarkimi nga detyra e Belinda Ballukut, e cila mbante postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e lënë në duart e SPAK, pasi është vënë zyrtarisht nën akuzë për abuzime me tenderat dhe për të cilën ka kërkuar arrestimin.
Gjatë ditës së djeshme Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimit që u zhvillua në Pallatin e Brigadave, Kryeministri Rama i paraqiti Kreut të Shtetit propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Rama e Begaj u takuan për afro 40 minuta në Pallatin e Brigadave, ku kreu i qeverisë i dorëzoi për dekretim shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinetin qeveritar.
Procedura kushtetuese parashikon 7 ditë afat për dekretimin e shkarkimeve dhe emërimeve të reja në kabinetin qeveritar, të cilat më pas kalojnë për votim në Parlament, ku për miratimin e tyre nevojiten 71 vota. Pas votëbesimit në Kuvend, ministrat e rinj betohen tek Presidenti Begaj për të marrë detyrën e re.
