Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë mbrëmjen e së shtunës. Një 10-vjeçar shqiptar ka humbur jetën teksa ishte duke luajtur pranë një shatërvani.
Sipas mediave vendase, i mituri, i identifikuar si Alessio, dyshohet se ka rrëshqitur dhe është përplasur me forcë në murin e ulët të strukturës, duke goditur qafën dhe gjoksin. Pas përplasjes, ai është rrëzuar në tokë dhe ka humbur ndjenjat para syve të personave të pranishëm.
Para mbërritjes së shërbimit të urgjencës, një mjek që ndodhej rastësisht në zonë i ka dhënë menjëherë ndihmën e parë. Më pas, ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë vijuar përpjekjet për ta rikthyer në jetë.
Për më shumë se 45 minuta, personeli mjekësor është përpjekur ta shpëtojë 10-vjeçarin, por fatkeqësisht ai nuk ka arritur të mbijetojë.
Karabinierët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa trupi i të miturit është transferuar në morgun e Foggias dhe është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
