Intervista e Albano Bogdos në “Grida Duma Podcast” solli jo vetëm rrëfime personale, por edhe një moment plot humor lidhur me reagimin e mamasë së tij ndaj ftesës për pjesëmarrje në studio.
Me batutën e tij karakteristike, aktori tregoi se e ëma nuk e priti shumë mirë lajmin që ai do të ishte i ftuar tek Grida Duma.
“Sot në mëngjes më tha mamaja: ‘Do shkosh tek ajo që e la Saliun në mes të katër rrugëve, kur i duhej më shumë?’”, rrëfeu Bogdo, duke shkaktuar të qeshura në studio.
Ai shtoi se u përpoq t’i shpjegonte se politika nuk funksionon në mënyrë kaq emocionale apo personale, por biseda nuk zgjati shumë. “Thjesht u mërzit mamaja dhe iku nga dhoma,” tha ai.
Situata u bë edhe më komike kur aktori tregoi një tjetër moment para nisjes për në podcast. Ai tregoi dialogun me të dashurën e tij:
“I thashë: ‘Më nxirr ndonjë gjë për të veshur, se po shkoj te podkasti.’ Ajo më pyeti: ‘Te kush podkast?’ – ‘Te podkasti i Gridës.’ Ma hodhi kostumin dhe më tha: ‘S’ke kërkuar ndonjëherë rroba nga unë… vetëm tani për tek Grida!’”
Ky episod solli humor dhe spontanitet në rrëfimin e aktorit, duke treguar edhe reagimet e sinqerta të familjes dhe partneres së tij ndaj angazhimeve publike.
