Pak orë pas krimit të rëndë të ndodhur në Greqi, ku pas një përleshjeje mes të rinjve u godit për vdekje me thikë 17-vjeçari shqiptar Aleks Vangjeli në Lutraki të Korinthit, ka ardhur edhe arrestimi i autorit të dyshuar.
Sipas burimeve policore, ai është një 17-vjeçar, shtetas grek, që shoqërua më herët në drejtorinë lokale të policisë dhe u pyet prej hetuesve, teksa pranoi se ishte ai autori i vrasjes të Vangjelit dhe plagosjes së shokut të tij 19 vjeçar.
Sipas tij shkak ishte një sherr banal mes tyre. Në pranga u vu edhe e ëma e tij, pasi mbi të rëndojnë dy akuza. Ajo e lënies pa kujdes të të miturit dhe tentativa për fshehje të provave pasi sipas burimeve policore tentoi të ngatërronte autoritet duke thënë se autor ishte shoku i viktimës 19 vjeç.
Ata do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie paraditen e së shtunës (28 shkurt).
Sipas informacioneve, një nga plagët shqiptari i mitur e kishte në gjoks, e cila i kishte dëmtuar edhe zemrën. Gjithçka duhet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në lagjen Lutraki, informon “Protothema”.
17-vjeçari u gjet në mes të rrugës me plagë të shumta thike dhe në të njëjtën kohë, një 19-vjeçar u gjet gjithashtu me një plagë thike në bark.
I riu u dërgua në një spital të Athinës për trajtim. Sipas informacioneve, deri më tani i plagosuri nuk ka dhënë detaje rreth asaj që ndodhi apo vendit ku ndodhi incidenti i përgjakshëm.
Për mediat greke ka folur nëna e 19-vjeçarit, e cila ka thënë:
“Nuk di asgjë ende, isha duke fjetur kur më morën. Sa i përket fëmijës tjetër, zbulova se kishte vdekur rrugës. Ai ishte një mik i ngushtë i djalit tim. Kush janë ata që vranë një fëmijë dhe shkuan të vrisnin një tjetër? Nuk e di…”.
Hetimet tregojnë se më parë 17-vjeçari ndodhej në një zonë të largët pranë Rrugës së Përgjithshme të Loutrakit, por ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur saktësisht aty.
Ndërkohë po këtë të premte, një 19-vjeçar grek, mik i ngushtë i 17-vjeçarit, u transportua në të njëjtin spital me plagë nga thika në bark dhe u operua.
Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet në klinikën kirurgjikale, shkruan “Protothema”.
