Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një valë ndryshimesh në kabinetin qeveritar, duke larguar nga detyra Belinda Balluku, Pirro Vengu dhe Elisa Spiropali, ndërsa ka propozuar disa emra të rinj në poste kyçe.
Në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë emërohet Enea Karakaçi, i cili zëvendëson Ballukun pas shkarkimit të saj nga detyra e ministres dhe nga posti i zëvendëskryeministres. Karakaçi mban aktualisht detyrën e administratorit të OSHEE-së që prej qershorit 2023 dhe më herët ka qenë Drejtor i Përgjithshëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në këtë ministri.
Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme emërohet Ferit Hoxha, diplomat karriere me mbi 30 vite eksperiencë në shërbimin e jashtëm. Ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, ai ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese në diplomacinë shqiptare, përfshirë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme dhe përfaqësues i përhershëm i vendit në OKB në Nju Jork, si dhe ambasador në BE, Belgjikë, Francë dhe UNESCO.
Ndërkohë, drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes e merr Ermal Nufi, duke zëvendësuar Pirro Vëngun. Jurist me formim në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Nufi aktualisht është Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ai ka një eksperiencë të gjatë si avokat i licencuar, pedagog i jashtëm dhe këshilltar ligjor në disa institucione shtetërore, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Po ashtu, në postin e ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin emërohet Erjona Ismajli, e cila zëvendëson Toni Gogun. Ismajli është deputete e legjislaturës aktuale, juriste me master në të Drejtën Administrative dhe në Marrëdhënie Publike Politike, si dhe e angazhuar prej vitesh në shoqërinë civile.
Ndryshimet pritet të formalizohen sipas procedurave kushtetuese në ditët në vijim.
