
Një mjek në spitalin e Durrësit është nën akuzë për neglizhencë pasi një bebe e porsalindur ndërroi jetë pak orë pasi kishte ardhur në këtë botë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës thanë sot se referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. Sh., 43 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në Spitalin Rajonal Durrës.
Procedimi penal nisi pasi ka kallëzuar shtetasja A. B., se më datë 19 shkurt 2026, ka lindur foshnjën e saj në maternitetin e këtij spitali.
Gruaja ende lehonë që tashmë vajton humbjen e fëminës, denoncoi se për shkak të neglizhencës së mjekut, foshnja ka humbur jetën pas disa orësh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
