I ftuar në emisionin “Big Brother Radio” me Elona Duron ishte Lorna Hysi. Ish-banorja foli më hapur për eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke sqaruar edhe disa çështje që vazhdojnë të diskutohen.
E pyetur për deklaratën e Kristit, i cili ka shprehur se fitues sheh Stenaldon, Lorna u shpreh se kjo zgjedhje i duket e parashikueshme. Sipas saj, Kristi e ka parë gjithmonë veten si fitues dhe në momentin që e kuptoi se nuk e kishte më atë mundësi, vendosi të largohej. Ajo shtoi se fakti që ai nuk zgjodhi të mbështeste asnjë nga lojtarët me të cilët kishte marrëdhënie më të afërta, por pikërisht Stenaldon, nuk është rastësi. Sipas Lornës, ai është mbështetur edhe nga figura të njohura dhe me ndikim në publikun shqiptar.
Megjithatë, Lorna e cilëson këtë si një zgjedhje “politikisht korrekte”, por pranon se edhe ajo vetë, pas daljes së Kristit, do të zgjidhte Stenaldon si fitues. Për të, asnjë nga lojtarët e tjerë nuk e meriton çmimin.
Duke shpjeguar arsyen, ajo theksoi se Stenaldo ka diçka më tepër se të tjerët. Përveç faktit që është i verbër, Lorna vlerëson inteligjencën e tij, duke e konsideruar ndër personat më të zgjuar në shtëpi. Sipas saj, ai nuk e ka përdorur kurrë gjendjen e tij për t’u viktimizuar, madje ua ka “hequr nga dora” këtë kartë edhe banorëve të tjerë.

