Një 64-vjeçar me origjinë shqiptare, i raportuar për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara në banesën e saj në Kypseli të Greqisë, vijon të mbetet në arrati, ndërsa autoritetet policore po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Sipas dëshmisë së nënës së 25-vjeçares, Katerina Bekiari, ajo u përball me një skenë dramatike kur u kthye në shtëpi dhe pa një burrë mbi vajzën e saj. Në përpjekje për ta mbrojtur, ajo tha se mori një tigan dhe e goditi të dyshuarin, duke tentuar ta largojë nga vajza.
Pamjet nga kamerat e sigurisë, të publikuara nga media greke MEGA, tregojnë 64-vjeçarin duke hyrë në apartament me çelësa, duke hapur derën e përparme dhe duke e mbyllur pas hyrjes. Videot dokumentojnë edhe përplasjen fizike mes tij dhe nënës, ku të dy bien në dysheme dhe përfshihen në një përleshje.
Sipas raportimeve të publikuara nga protothema.gr, i dyshuari dhe nëna e 25-vjeçares thuhet se janë takuar më parë në ambientet e një kishe. Padia është depozituar nga nëna, e cila deklaroi se e pa incidentin përmes kamerave të sigurisë dhe u kthye menjëherë në banesë.
Ajo pretendon gjithashtu se, gjatë përpjekjes për të telefonuar policinë, u godit me grushte dhe shqelma. Pas incidentit, 64-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
