Teksa pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, kjo e fundit ka vendosur të mos marrë pjesë në mbledhje.
Sipas informacioneve të konfirmuara për BalkanWeb nga gazetari Ergys Gjençaj, në sallën e mbledhjes në Kryesinë e Kuvendit kanë mbërritur prokurorët e SPAK, përfshirë kreun Klodian Braho dhe prokuroren Dorina Bejko, si dhe Dritan Prençi.
Në mbledhje do të jenë të pranishëm 10 anëtarë të Këshillit të Mandateve – 5 deputetë nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Kërkesa për heqjen e mandatit të Ballukut është depozituar në Kuvend më 16 dhjetor të vitit të kaluar.
Mbledhja zhvillohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që kishte vendosur shkarkimin e saj nga funksionet publike.
Sipas kërkesës së SPAK, Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshime për të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi, përfshirë projekte si:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT” “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2” “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana” “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, 5, 6 dhe 7”
Këto procedura përmenden në dosjen e dorëzuar nga Prokuroria e Posaçme, e cila po shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve.
