Vox News ka publikuar pamje nga momenti i vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari në Tiranangjarje e ndodhur disa ditë më parë në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë zonës së njohur si ish-Parku.
Fillimisht u dyshua se konflikti kishte lidhje me pretendime për ngacmime ndaj bashkëshortes së autorit të dyshuar, Gazment Buçpapaj, por kjo pistë është rrëzuar. Sipas dëshmisë së saj, përplasja ka nisur për shkak të bllokimit të rrugës.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti kishte shkuar për ta marrë nga puna dhe, pasi ajo kishte hipur në automjet, rruga ishte e bllokuar nga makina e viktimës. Pas sinjalizimeve me bori, 31-vjeçari ka zbritur nga mjeti dhe ka nisur një debat verbal, që më pas ka degraduar në përplasje fizike.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë konfliktit, Buçpapaj e ka goditur me mjet prerës Pashollarin, i cili ndërroi jetë më pas në spital si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40. Në video shfaqet edhe një person i tretë që përpiqet të ndërhyjë për të ndarë palët. Pas incidentit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Sa i përket të shkuarës së viktimës, ai kishte qenë më herët punonjës i sistemit penitenciar dhe ishte përmendur në media në lidhje me një rast që përfshinte Emiljano Shullazi. Pashollari raportohet se kishte njohje edhe me Gilmando Dani, i vrarë më parë në atentatin e Rinasit. Këto elemente mbeten pjesë e raportimeve mediatike, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet përkatëse.
Shiko videon më poshtë
https://www.instagram.com/reel/DVEHzSdDSe8/?igsh=MWlobXNhZzY1aWkzZQ==
