Një 25-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë pasditen e së premtes, në një parcelë buzë rrugës Chivola, në zonën e Santa Vittoria d’Alba.
I riu, banues në këtë qytet, është gjetur pranë një automjeti tip Lancia Ypsilon, që dyshohet të ketë qenë në pronësi të tij. Trupi është konstatuar nga një shofer që po kalonte rastësisht në zonë, i cili ka njoftuar menjëherë policinë.
Edhe pse autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë përfundimtare, dyshimet paraprake janë se 25-vjeçari është vrarë me një plumb në kokë. Arma e krimit nuk është gjetur në vendngjarje, fakt që forcon pistën e një vrasjeje të mirëorganizuar.
Një element tjetër që rëndon dyshimet është se trupi është gjetur i mbuluar pjesërisht me rërë, çka lë të kuptohet për një tentativë për të fshehur gjurmët e krimit.
Hetimet po zhvillohen nga karabinierët e zonës dhe nga njësia hetimore e komandës provinciale të Cuneo, nën koordinimin e prokurores Sara Paterno të Prokurorisë së Asti. Me urdhër të saj është caktuar autopsia, e cila do të kryhet të shtunën, 21 shkurt, për të sqaruar shkakun dhe rrethanat e sakta të vdekjes.
Ndërkohë, autoritetet po verifikojnë çdo pistë hetimore për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali.
