Kreu i Agron Shehaj ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, gjatë një përplasjeje publike, duke e akuzuar për shpifje dhe për fshehje të përgjegjësive lidhur me një çështje financiare që, sipas tij, përfshin 100 milionë euro gjoba.
Shehaj e përshkroi ministrin në një situatë të dëshpëruar dhe e akuzoi për gënjeshtra publike:
“E kuptoj që jeni të dëshpëruar. Kur një njeri është i tillë, vetëm shpif. Ti nuk shpif thjesht, ti je shpifës nga maja e flokut te këmbët. Sapo gënjeve në mënyrë të paturpshme.”
Ai ngriti pikëpyetje mbi menaxhimin e një shume prej 100 milionë eurosh, duke pretenduar se ato lidhen me faljen e një gjobe:
“I ke falur 100 milionë euro gjobë. Çfarë u bë me ato para? I mblodhe apo i ndave me Bankers? Si po i ndani? Si po bëhet? Për këtë jep llogari,” tha Shehaj, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Kreu i Partisë Mundësia paralajmëroi gjithashtu se zyrtarët e lartë që abuzojnë me detyrën do të përballen me drejtësinë, duke përmendur SPAK-un si institucionin ku mund të përfundojnë çështje të tilla.
Ai përmendi edhe emra të tjerë të njohur të politikës shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama, si dhe ish-zyrtarë të lartë si Belinda Balluku, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Saimir Tahiri, duke paralajmëruar se edhe ministri aktual mund të përfundojë në të njëjtin fat politik dhe ligjor.
“Duhet ta kuptoni: nuk kam shumë vite këtu dhe kam parë gënjeshtra dhe shpifje. Fundin e keni te SPAK-u. Edhe ti që qesh tani, dita jote po vjen. Si përfunduan të tjerët, do përfundosh edhe ti,” përfundoi Shehaj.
